Drejtori Ekzekutiv i United Nations AIDS agency (UNAIDS), Winnie Byanyima, ka paralajmëruar se infeksionet dhe vdekjet nga HIV mund të rriten ndjeshëm nëse SHBA vazhdojnë të ngrijnë financimin për programet ndërkombëtare të HIV.
Ajo tha se pa mbështetje nga SHBA, ekspertët parashikojnë që infeksionet e reja me HIV mund të rriten më shumë se gjashtëfish deri në vitin 2029. Ky paralajmërim ka ardhur pas vendimit të administratës Trump për të ngrirë ndihmën e jashtme për të mbështetur politikën “America First” shkruan HealthDay transmeton GazetaShneta.
Byanyima theksoi se financimi nga SHBA përbën rreth 90% të fondeve për programet e HIV në disa nga vendet më të prekura, dhe ka shkaktuar pasiguri dhe frikë mes punonjësve të shëndetësisë. Në disa shtete, si Kenia dhe Etiopia, janë larguar mijëra punonjës, duke bërë të vështirë monitorimin dhe trajtimin e epidemisë. Ajo shtoi se ky ndërprerje i fondeve mund të ketë pasoja tragjike, duke vënë në rrezik jetën e shumë njerëzve.
Në një moment të rëndësishëm, kur është zhvilluar një injeksion i ri për parandalimin e HIV (lenacapavir), që ka treguar mbrojtje të plotë për gratë dhe është gjithashtu i efektshëm për burrat, Byanyima ka kërkuar që SHBA të rishikojnë vendimin dhe të mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për të frenuar epideminë. Ky injeksion mund të ndihmojë në eleminimin e HIV si një problem shëndetësor publik brenda pesë viteve. Byanyima ka theksuar se ky financim është jetik për të siguruar mjetet e nevojshme për parandalimin e infeksioneve dhe shpëtimin e jetëve.
Ajo ka bërë thirrje që SHBA të rishqyrtojnë vendimin, duke theksuar se ndihma ndërkombëtare përbën më pak se 1% të buxhetit total të SHBA, dhe është e vështirë të kuptohet pse ky 1% duhet të shkaktojë kaos dhe dëm.
Ndërkohë, Byanyima ka shprehur shqetësim se asnjë shtet tjetër nuk ka ofruar ende mbështetje për të mbushur hendekun e krijuar nga ngrirja e fondeve, por ka planifikuar të vizitojë kryeqytetet evropiane për të kërkuar mbështetje emergjente.
Ajo ka paralajmëruar se, pa këtë mbështetje, shumë njerëz do të humbin jetën, pasi mjetet e jetës janë hequr./GazetaShneta/


