Një studim i ri gjeti një lidhje midis citomegalovirusit human (HCMV), një lloj i zakonshëm i virusit të herpesit, dhe sëmundjes së Alzheimerit.
Gjetjet sugjerojnë se HCMV mund të infektojë zorrën dhe të udhëtojë drejt trurit, sipas studiuesve shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
Hulumtimi, i publikuar në revistën “Alzheimer’s and Dementia”, më 19 dhjetor, ka ofruar prova të mëtejshme mbi “lidhjen mes zorrës dhe trurit”.
Studimi tregoi gjithashtu një lidhje midis përqendrimeve të larta të virusit në qelizat e trurit dhe disa proteinave tau dhe amiloide të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit.
Në këtë studim të ri, studiuesit analizuan mostrat e indeve të trurit nga 101 persona që kishin ndërruar jetë, nga të cilët 66 ishin diagnostikuar me Alzheimer.
Ekipi hulumtues kërkoi një lloj të veçantë proteine në sipërfaqen e qelizave mikrogliale të trurit. Këto qeliza ndihmojnë në rregullimin e zhvillimit të trurit, mbajtjen e rrjeteve nervore dhe riparimin e dëmtimeve në inde.
Proteina e quajtur CD83(+) është një tregues i pranisë së HCMV-së në shtresën e jashtme të trurit, si dhe në nervin vagus. Ky nerv luan një rol kyç në sistemin nervor autonom, duke ndikuar në humorin, reagimin imunitar dhe tretjen. Gjithashtu, ai lidh zorrën me trurin dhe mendohet se mund të shërbejë si një rrugë për transportin e viruseve si HCMV nga zorra në tru.
Pas analizës së mostrave të indeve, studiuesit vunë re se tek pacientët me Alzheimer, prania e proteinës CD83(+) ishte e lidhur me praninë e HCMV-së si në zorrë ashtu edhe në tru.
Është e rëndësishme të theksohet se ky studim tregon vetëm një korrelacion—nuk është ende e qartë nëse HCMV është një shkaktar i drejtpërdrejtë i Alzheimerit.
Gjithashtu, nuk dihet ende se cilët faktorë mund të aktivizojnë një infeksion aktiv ose kronik të HCMV-së në zorrë.
Megjithatë, dihet se virusi ka më shumë gjasa të riaktivizohet tek njerëzit me sistem imunitar të dobësuar. /Gazeta Shneta/


