Në dy vitet e fundit, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar dy terapi të reja për alzheimerin, të cilat kanë treguar se ngadalësojnë përparimin e sëmundjes.
Megjithatë, ndërsa miratimi i lecanemab dhe donanemab, dy terapi me antitrupa që pastrojnë proteinat amiloide nga truri, u prit me entuziazëm nga studiuesit, pacientët dhe familjarët e tyre e kanë pasur të vështirë të kuptojnë ndikimin real të këtyre barnave në jetën e tyre shkruan MedicalXpress transmeton GazetaShneta.
Për ta bërë më të qartë këtë ndikim, studiuesit nga Universiteti i Uashingtonit në Shën Luis përllogaritën sesa muaj të jetesës së pavarur mund të fitonte një pacient nëse trajtohej me këto ilaçe. Sipas tyre, një pacient që fillon trajtimin në fazën e hershme të sëmundjes mund të jetojë i pavarur 10 muaj më gjatë me lecanemab dhe 8 muaj më gjatë me donanemab
Trajtim që nuk ndalon sëmundjen, por e ngadalëson
Pavarësisht përfitimeve të kufizuara, pacientët dhe familjarët e tyre mund të shohin vlerë në këtë trajtim. Barnat nuk e ndalojnë përkeqësimin e sëmundjes dhe nuk e përmirësojnë gjendjen e pacientëve, por mund të vonojnë humbjen e pavarësisë. Trajtimi gjithashtu ka kosto të larta, kërkon infuzione të rregullta dhe mbart rreziqe, si gjakderdhje apo ënjtje të trurit, që zakonisht janë të lehta, por në raste të rralla mund të bëhen kërcënuese për jetën.
Dr. Suzanne Schindler, një nga autoret e studimit dhe neurologe në Universitetin e Uashingtonit, thekson se pacientët shpesh kërkojnë përgjigje konkrete. “Pacientët duan të dinë sa gjatë mund të vazhdojnë të ngasin makinën, sa kohë do të kujdesen vetë për higjienën personale dhe sa kohë do t’u japë ky trajtim,” thotë ajo.
Në fund, vendimi për të marrë ose jo trajtimin nuk është vetëm mjekësor, por edhe personal. Ai varet nga prioritetet dhe toleranca e pacientit ndaj rreziqeve dhe sfidave të trajtimit./GazetaShneta/


