Pirja e duhanit dyfishon më shumë rrezikun e goditjeve në tru të llojit “të pashpjeguara”, tek të rriturit dhe të rinjtë, paralajmëron një studim i ri.
Ndër të tjera, pirja e rëndë e duhanit është edhe më e dëmshme, pasi rreziku i goditjes në tru është më shumë se katërfish më i lartë tek ata që pijnë më shumë se një pako cigare në ditë për 20 vjet, krahasuar me njerëzit që nuk pijnë duhan, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Në këtë studim, studiuesit u fokusuan te një lloj goditjeje në tru e quajtur goditje kriptogjene. Këto goditje shkaktohen nga një bllokim i rrjedhës së gjakut, por shkaku i saktë i bllokimit mbetet i paqartë.
“Ndërsa pirja e duhanit është lidhur prej kohësh me goditjen ishemike në tru, dihet pak për ndikimin e saj tek personat nën 50 vjeç, veçanërisht te ata me goditje të pashpjeguara”, tha autori kryesor i studimit, Phillip Ferdinand nga Universiteti Keele në Mbretërinë e Bashkuar.
Ekipi i tij krahasoi të dhënat mjekësore të 546 personave të moshës 18 deri në 49 vjeç që kishin përjetuar një goditje të pashpjeguar, me të dhënat e 546 personave të së njëjtës moshë dhe gjini që nuk kishin pasur goditje në tru.
Studiuesit zbuluan se rreth 33% e duhanpirësve kishin pësuar një goditje të pashpjeguar, krahasuar me vetëm 15% të atyre që nuk pinin duhan.
Gjinia, mosha dhe intensiteti i pirjes së duhanit luanin të gjitha një rol në rrezikun e goditjes në tru tek të rinjtë, treguan rezultatet.
Tek meshkujt duhanpirës, rreziku i goditjes ishte më shumë se trefish më i lartë se tek ata që nuk pinin duhan, ndërsa tek personat 45-49 vjeç rreziku ishte gati pesë herë më i lartë. Dhe sa më shumë të pinin duhan, aq më shumë rritej rreziku i tyre.
Organizata Botërore e Strokut, thekson se ka shumë mënyra se si tymi i duhanit mund të rrisë rrezikun e goditjes në tru.
Tymi i cigares përmban mijëra kimikate të dëmshme që mund të ndikojnë në sistemin e qarkullimit të gjakut. Gjithashtu përmban monoksid karboni, i cili ul nivelin e oksigjenit në gjak, dhe nikotinë, e cila rrit presionin e gjakut.
Gjithashtu, pirja e duhanit ndikon në nivelet e kolesterolit dhe rrit rrezikun e ngurtësimit të arterieve, thekson organizata.
Ky studim i ri është botuar në revistën “Neurology”. /Gazeta Shneta/


