Një studim i ri tregon se shpërthimi i mpox në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) po përhapet me shpejtësi dhe rrezikon të kalojë kufijtë. Virusi ka pësuar mutacione dhe varianti i ri, clade 1b, është bërë më ngjitës, duke u përhapur jo vetëm brenda DRC-së, por edhe në vende si Suedia dhe Tajlanda.
Hulumtimi, i publikuar në Nature Medicine, tregon se clade 1b transmetohet kryesisht përmes kontaktit heteroseksual dhe prek gjithnjë e më shumë gra, fëmijë dhe personel shëndetësor. Studimet sugjerojnë gjithashtu një rrezik të lartë të abortit tek gratë shtatzëna të infektuara transmeton Gazeta Shneta.
Ekipi ndërkombëtar i studiuesve ka zhvilluar një test të ri PCR për të identifikuar këtë variant, i cili nuk mund të zbulohej me testet e mëparshme. Përhapja e shpejtë e virusit, veçanërisht në zonat e dendura urbane dhe në mesin e punonjësve të seksit, kërkon veprime urgjente, përfshirë vaksinimin dhe fushata ndërgjegjësimi mbi rrugët e transmetimit.
Deri më 5 janar 2025, mbi 9,500 persona janë testuar pozitivë për mpox në DRC, me një normë vdekshmërie prej 3.4%. Studiuesit theksojnë se përhapja e virusit kërkon bashkëpunim ndërkufitar për monitorim dhe trajtim, si dhe masa globale për të kufizuar përhapjen ndërkombëtare./Gazeta Shneta/


