Një studim global i ri ka zbuluar se një person vdes nga vetëvrasja çdo 43 sekonda, dhe më shpesh ky person është një burrë. Burrat vdesin nga vetëvrasja dy herë më shpesh se gratë dhe përpjekjet e tyre kanë më shumë mundësi të përfundojnë me vdekje.
Përpjekjet për vetëvrasje që nuk përfundojnë me vdekje dhe kërkojnë kujdes mjekësor janë tre herë më të zakonshme tek gratë sesa tek burrat. Burrat shpesh zgjedhin metoda më të dhunshme dhe vdekjeprurëse, si armët, ndërsa gratë përdorin metoda më të pasigurta, si helmimi dhe mbidoza, trasnmeton Gazeta Shneta.
Studimi ka analizuar të dhëna nga vlerësimi global i ngarkesës së sëmundjeve dhe dëmtimeve, dhe ka gjetur se çdo vit ndodhin rreth 746,000 vdekje nga vetëvrasja. Megjithëse ka një rënie të përgjithshme të normës së vdekjeve nga vetëvrasja në mbarë botën, me një rënie prej 40% gjatë tri dekadave të fundit, disa rajone kanë parë rritje të normave, si Amerika Latine dhe disa pjesë të Amerikës së Veriut.
Në këtë periudhë, rënia ka qenë më e theksuar në Azinë Lindore, kryesisht në Kinë, ndërsa vende si Ekuadori dhe Meksika kanë shfaqur rritje të ndjeshme të vetëvrasjeve. Studiuesit kanë theksuar se ndihma për shëndetin mendor dhe heqja e stigmatizimit të vetëvrasjes janë masa kyçe për të parandaluar këtë fenomen.
Për më tepër, studimi ka treguar se ndodhin ndryshime të rëndësishme në moshën e vdekjes nga vetëvrasja, që tani është më vonë në jetë sesa në vitin 1990, duke arritur në mesatarisht 47 vjeç për të dyja gjinitë deri në vitin 2021./ Gazeta Shneta/


