Nxehtësia ekstreme mund të ketë një ndikim më të madh në plakjen biologjike sesa duhani dhe alkooli, sugjerojnë hulumtimet.
Ndërsa ndryshimi i klimës rrit temperaturat në mbarë botën, një studim i ri paralajmëron se nxehtësia ekstreme po e shpejtojë procesin e plakjes tek të moshuarit, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Të moshuarit që janë ekspozuar ndaj periudhave të gjata të nxehtësisë ekstreme kanë treguar shenja të plakjes biologjike të rritur, sipas një studimi të publikuar këtë javë në revistën “Science Advances”.
Hulumtuesit nga Universiteti i Kalifornisë jugore analizuan të dhënat e mbi 3,600 individëve të moshës 56 vjeçare dhe më të vjetër në Shtetet e Bashkuara, duke krahasuar treguesit e tyre biologjikë me modelet e temperaturës në mjediset e tyre lokale.
Gjetjet?
Ata që jetonin në zona me ditë të shpeshta mbi 32°C – të klasifikuara si “kujdes ekstrem” ose më të larta nga Shërbimi Kombëtar i Motit të SHBA – kishin një moshë biologjike të shpejtuar, ndonjëherë me më shumë se një vit.
Çfarë është plakja biologjike dhe pse ka rëndësi?
Ndryshe nga mosha kalendarike, e cila llogarit vitet që nga lindja, mosha biologjike pasqyron dëmtimet që ka pësuar trupi në nivelin celular dhe molekular.
Një moshë biologjike më të lartë sesa mosha kalendarike lidhet me një rrezik më të madh për sëmundje dhe vdekje të parakohshme.
Ndërsa temperaturat e larta vetë janë të dëmshme, lagështia i përkeqëson ato.
Ndryshimi i klimës, nxehtësia urbane dhe popullata të cenueshme
Me ngritjen e temperaturave globale, gjetjet theksojnë nevojën urgjente për të mbrojtur popullatat vulnerabël – sidomos të moshuarit – nga rreziku për shëndetin që lidhet me nxehtësinë.
Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO), viti 2024 ishte viti më i ngrohtë që nga regjistrimi, rreth 1.6°C mbi nivelin para-industrial. Valët e nxehtësisë po bëhen gjithashtu më të shpeshta dhe më të rënda.
Hulumtimet e mëparshme kanë lidhur nxehtësinë ekstreme me stresin kardiovaskular, probleme me veshkat dhe madje me rënien e aftësive mendore. OBSH vlerëson se nxehtësia vret më shumë se 175,000 evropianë çdo vit, dhe pa ndërhyrje, ndryshimi i klimës mund të çojë në 2.3 milion vdekje shtesë në Evropë deri në vitin 2099.
Siç sugjeron ky studim i fundit, rreziku për popullatat e moshuara mund të jetë më i madh se sa ishte menduar më parë.
Hulumtuesit theksuan se qytetet mund të zvogëlojnë ndikimin e nxehtësisë ekstreme duke rritur hapësirën e gjelbër urbane, duke mbjellë më shumë pemë dhe duke dizajnuar infrastrukturën publike me mendimin për qëndrueshmërinë ndaj nxehtësisë. /Gazeta Shneta/


