Injeksioni steroidal në shtyllën kurrizore—i njohur edhe si injeksion epidural—mund të zvogëlojë dhimbjen në qafë dhe shpinë vetëm për disa muaj, sipas një rishikimi të fundit nga Akademia Amerikane e Neurologjisë (AAN).
Stenoza spinale, një gjendje e zakonshme tek të rriturit mbi 60 vjeç, shkaktohet nga ngushtimi i kanalit kurrizor, duke sjellë dhimbje kronike dhe mpirje në qafë dhe pjesën e poshtme të shpinës, shkruan burimi Very Well Family përcjell Gazeta Shneta.
Edhe pse injeksionet steroidale ose kortizonike përdoren për të kontrolluar dhimbjen, efektiviteti i tyre është i kufizuar.
Sipas rishikimit të AAN, 26% më shumë njerëz që morën injeksione steroidale kishin një reduktim të përkohshëm të aftësisë së kufizuar për deri në tre muaj krahasuar me ata që nuk morën trajtim.
Megjithatë, pas tre muajsh, efektiviteti i injeksioneve u zvogëlua. Dhimbja u reduktua për 24% të pacientëve për një periudhë prej dy deri në gjashtë javë, por injeksionet nuk përmirësuan funksionin dhe nuk zvogëluan nevojën për ndërhyrje kirurgjikale.
Ky rishikim përditëson një analizë të mëparshme të vitit 2007 mbi injeksionet epidurale dhe konfirmon gjetjet e mëparshme, sipas Dr. Carmel Armon, bashkautor i studimit dhe neurolog në Universitetin e Mjekësisë Loma Linda në Kaliforni.
“Në kundërshtim me përshtypjen që shumë pacientë kanë për lehtësimin e menjëhershëm të dhimbjes, pas tre deri në gjashtë muaj, shumica e pacientëve janë në të njëjtën gjendje si ata që nuk kanë marrë fare steroide,” tha Armon për Verywell Health.
Dr. Mark Bicket, anesteziolog dhe drejtor i kërkimeve mbi dhimbjen dhe opioidët në Michigan Medicine, theksoi se këto gjetje duhet të nxisin pacientët të diskutojnë me mjekët për planin e tyre të trajtimit.
Sipas tij, kombinimi i akupunkturës me injeksion epidural mund të jetë efektiv për disa pacientë me dhimbje të shpinës së poshtme, dhe shumë prej tyre mund të kenë provuar tashmë fizioterapi përpara se të kërkojnë trajtime më të avancuara.
Për menaxhimin e dhimbjes kronike të shpinës, mjekimet si antiinflamatorët josteroidë (si ibuprofeni) ose relaksuesit e muskujve mund të ndihmojnë në kontrollin e simptomave.
Në raste më të rënda, mund të kërkohet ndërhyrje kirurgjikale për të hequr pjesërisht ose plotësisht një disk për të krijuar hapësirë për rrënjët nervore në shtyllën kurrizore. /Gazeta Shneta/


