Bakteret e ekspozuara ndaj mikroplastikave mund të bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, sipas një studimi të ri.
Studiues nga SHBA analizuan sesi reagonin bakteret kur ekspozoheshin ndaj përqendrimeve të ndryshme të mikroplastikave – copa të vogla plastike, më pak se pesë milimetra, që gjenden kudo në mjedis dhe në trupin e njeriut, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Ata përdorën bakterin Escherichia coli (E. coli), një bakter i zakonshëm që mund të ketë lloje patogjene dhe të shkaktojë infeksione, si helmim nga ushqimi.
“Plastikat ofrojnë një sipërfaqe ku bakteret ngjiten dhe kolonizojnë,” tha Neila Gross, kandidate për doktoraturë në Universitetin e Bostonit në SHBA dhe autore kryesore e studimit, në një deklaratë.
Kur ndodhen në një sipërfaqe, bakteret krijojnë një shtresë mbrojtëse të quajtur biofilm.
Më pas, studiuesit testuan katër antibiotikë të zakonshëm.
Kur biofilmi dhe mikroplastikat u kombinuan, barnat nuk funksionuan, sipas gjetjeve të publikuara të martën në revistën “Applied and Environmental Microbiology”.
“Zbuluam se biofilmet në mikroplastika, krahasuar me sipërfaqe të tjera si qelqi, janë shumë më të forta dhe më të trasha, si një shtëpi me izolim të madh,” shtoi Gross.
Ndër plastikët e ndryshëm të testuar, “polistireni, në veçanti, pati ndikimin më të madh në zhvillimin e rezistencës,” shkruan autorët.
Një rrezik i madh për shëndetin publik
Rezistenca antimikrobiale (AMR) konsiderohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si një nga kërcënimet më të mëdha globale për shëndetin publik.
AMR e bën më të vështirë trajtimin e baktereve, viruseve, kërpudhave dhe parazitëve, duke kërcënuar shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimëve.
Në vitin 2020, në vendet evropiane ndodhën më shumë se 865,000 infeksione rezistente ndaj antibiotikëve dhe mbi 35,000 njerëz humbën jetën për shkak të tyre.
“Fakti që mikroplastikat janë kudo përreth nesh, dhe madje edhe më shumë në vendet e varfra ku mund të ketë mungesë higjiene, është një pjesë e rëndësishme e kësaj vëzhgimi,” tha Muhammad Zaman, profesor i inxhinierisë biomjekësore në Universitetin e Bostonit.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se popullatat e zhvendosura me forcë janë në rrezik më të lartë për t’u ekspozuar ndaj rezistencës antimikrobiale për shkak të kushteve të jetesës në kampe të mbipopulluara dhe pengesave për qasjen në sistemet shëndetësore. /Gazeta Shneta/


