Një studim i ri i realizuar nga shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë, Riverside, ka zbuluar se përdorimi i cigareve elektronike me mentol gjatë shtatzënisë mund të dëmtojë zhvillimin e embrionit.
Përdorimi i mentolit, një nga përbërësit kryesorë të këtyre cigareve, aktivizon kanale të veçanta në qelizat staminale embrionale, të njohura si kanale receptorësh që lidhen me stresin. Ky proces ka pasoja negative, duke penguar rritjen e qelizave, rritur vdekjen e qelizave dhe shkaktuar lëvizje anormale të qelizave, që mund të ndikojnë në zhvillimin normal të embrionit, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Kjo mund të ketë efekte të dëmshme në një fazë kritike të zhvillimit të embrionit, të quajtur gastrulacion, e cila është procesi ku formohen shtresat e para të trupit të foshnjës. Këto shtresa janë thelbësore për zhvillimin e organeve dhe indeve të ardhshme, dhe çdo ndërhyrje në këtë fazë mund të çojë në defekte të mundshme të lindjes.
Shkencëtarët theksojnë se është e domosdoshme të kryhen më shumë studime për të kuptuar plotësisht ndikimin e cigareve elektronike me mentol në zhvillimin embrional dhe fetal. Ata sugjerojnë që gratë shtatzëna të shmangin përdorimin e këtyre cigareve deri sa të kuptohen më mirë efektet e tyre në trupin e nënës dhe foshnjës./Gazeta Shneta/


