Një studim i ri nga Spanja ka shqyrtuar lidhjen midis obezitetit dhe plakjes epigjenetike.
Plakja epigjenetike i referohet mënyrës se si trupi plaket në nivel molekular; ndonjëherë, mosha biologjike e një personi nuk përputhet gjithmonë me moshën e tij kronologjike, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit zbuluan se një dietë ketogjenike me shumë pak kalori mund të zvogëlojë plakjen epigjenetike me më shumë se 6 vjet.
Obeziteti prek më shumë se 40% të të rriturve në Shtetet e Bashkuara dhe është i lidhur me një sërë shqetësimesh shëndetësore, duke përfshirë ndikimin e tij në sisteme të ndryshme të trupit.
Kur mosha biologjike e një personi është më e lartë se mosha e tij kronologjike, ai mund të jetë në rrezik më të madh për zhvillimin e sëmundjeve kronike dhe një jetëgjatësi më të shkurtër.
Shkencëtarët që kryen këtë studim të ri eksploruan më tej lidhjen midis obezitetit dhe plakjes epigjenetike.
Ata zbuluan se personat me obezitet që ndoqën një dietë ketogjenike me shumë pak kalori për 180 ditë kishin një moshë epigjenetike më të ulët me më shumë se 6 vjet krahasuar me momentin kur filluan dietën.
Gjetjet e studimit janë publikuar në revistën “Nutrients”. /Gazeta Shneta/


