Ish-drejtori i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare Kastriot Meqa, ka numëruar sukseset në këtë pozitë tre vjeçare. Në fund ai ka uruar menaxhmentin e ri, drejtorin e sapo zgjedhur Mirsad Shkreta i cili deri në mars ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Meqa ka thënë se kur e kishte marr pozitën e drejtorit e kishte gjetur QKSUK-në me 60 për qind të karrikeve stomatologjike jashtë funksionit, shërbime të kufizuara dhe jo cilësore.
“Furnizimi me karriga të reja stomatologjike bashkëkohore ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e vëllimit të punës, duke arritur që të gjitha karrigat stomatologjike jo-funksionale (mbi 50) të zëvendësohen në një periudhë më pak se tri vjet. Rikthimi i ofrimit të shërbimit të terapisë fikse ortodontike (mars 2023) dhe Të implantologjisë (janar 2024) ishin sfida që u bënë të mundura falë insistimit të vazhdueshëm dhe përkushtimit të pandalshëm në realizimin e këtyre synimeve”, ka shkruar Meqa.
Postimi i tij i plotë:
Tri vjet të menaxhimit të QKSUK-së
Është e pamundur që puna dhe aktiviteti i zhvilluar gjatë tri viteve të fundit të përmblidhet në një postim. Kjo për faktin se gjatë kësaj kohe QKSUK ka ndryshuar aq shumë dhe se të arriturat kanë shënuar një rikthim të dinjitetit që ky institucion ka pasur në të kaluarën.
Përkundër gjendjes së rënduar në këtë institucion që e kishte kapluar vite me radhë, kam shprehur gatishmërinë që të marr përsipër udhëheqjen e këtij institucioni.
❌ Sfidat e menaxhimit kanë filluar që me marrjen e detyrës në mesin e marsit 2022, duke u ballafaquar me një shkallë të ultë të shfrytëzimit të karrigave stomatologjike, prej të cilave mbi 60% ishin jashtë funksionit. Kjo gjendje kishte ndikuar në dekurajimin e personelit mjekësor për kryerjen e detyrave të punës.
❌ Kësaj gjendje i shtohej edhe cilësia e ultë e materialeve stomatologjike, duke ndikuar edhe në cilësinë e ultë të shërbimeve të ofruara.
❌ Me gjithë epitetin e një qendre universitare, QKSUK kishte një gamë të kufizuar të shërbimeve, në pamundësi të ofrimit të shërbimeve dhe procedurave që të paktën t’iu demonstroheshin studentëve dhe/apo specializantëve.
Zotimi im para marrjes se detyrës ishte që me rifillimin e disa shërbimeve që ishin ndërprerë dhe me fillimin e shërbimeve të reja, do t’i rikthehej dinjiteti i kësaj qendre arsimore dhe profesionale.
Kështu, fokusi i punës pas marrjes së detyrës u përqendrua në trajtimin e këtyre aspekteve të punës, e posaçërisht në vendosjen e rregullsisë dhe disiplinës në punë.
✅ Furnizimi me karriga të reja stomatologjike bashkëkohore ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e vëllimit të punës, duke arritur që të gjitha karrigat stomatologjike jo-funksionale (mbi 50) të zëvendësohen në një periudhë më pak se tri vjet.
✅ Rikthimi i ofrimit të shërbimit të terapisë fikse ortodontike (mars 2023) dhe
✅ Të implantologjisë (janar 2024) ishin sfida që u bënë të mundura falë insistimit të vazhdueshëm dhe përkushtimit të pandalshëm në realizimin e këtyre synimeve.
✅ Aplikimi i sedacionit inhalator përmes administrimit të oksidulit të azotit (dhjetor 2023), si shërbim i ri, krijoi një mundësi të mirë të trajtimit të pacientëve, posaçërisht të fëmijëve me nevoja të veçanta që nuk bashkëpunonin apo kishin frikë nga trajtimi stomatologjik.
✅ Furnizimi me pajisjen më bashkëkohore të realizimit të punimeve protetikore përmes teknologjisë CAD/CAM (dhjetor 2024) është bërë në laboratorin e teknikës dentare, që shfrytëzon imazhet e digjitalizuara dhe programeve kompjuterike për dizajnin dhe prodhimin e këtyre punimeve. Këto imazhe tani do të mund të fitohen përmes skanerit intraoral që e vizualizon gjendjen e harqeve të dhëmbëve dhe duke shmangur marrjen e masave me alginat.
✅ Realizimi i pajisjeve fikse ortodontike për zgjerimin rapid të nofullës, e njohur si Hirax, është mundësuar në këtë laborator në bashkëpunim me Klinikën e Ortodoncisë, e realizuar për herë të parë në institucionin tonë.
✅ Sfiduese ishte edhe shkurtimi i kohës së pritjes së pacientëve për marrjen e punimeve protetikore, që në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte tetë muaj, dhe ne gjysmën e parë të vitit 2024 është shkurtuar në një muaj e gjysmë.
✅ Është arritur modernizimi i kushteve të punës me pajisje të reja për ndërhyrje kirurgjike (fiziodispenserë dhe piezoelektrike), për ndërhyrje regjenerative (centrifuga për procedurën PRF – platelet-rich fibrin), etj.
Këto të arritura janë jetësuar dhe kanë marrë formë falë punës së palodhshme dhe bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë kolegët që kanë shprehur gatishmërisë të marrin pjesë në këto sfida, që me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj përzemërsisht.
Njëherit, i dëshiroj sukses menaxhmentit të ri të QKSUK-së!




