Përfaqësues të kompanive farmaceutike dhe organizatave tregtare paralajmëruan presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të kërkojë një zgjidhje të negociuar me SHBA-në në lidhje me tarifat, përndryshe rrezikohen vështirësi në zinxhirët e furnizimit, sipas burimeve.
Ata i bënë thirrje Komisionit që të ulë barrierat jotarifore në këtë sektor gjatë video- thirrjes me të mbajtur të martën, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Sektori farmaceutik i shpëtoi për pak vendosjes së tarifave në raundin e fundit të masave nga ish-presidenti Trump, falë përjashtimeve të dhëna javën e kaluar.
Megjithatë, Komisioni ka paralajmëruar se tarifat mund të vendosen sërish në të ardhmen.
Kompani të mëdha farmaceutike evropiane, përfshirë Novo Nordisk të Danimarkës – prodhuesin e ilaçit për humbje peshe Ozempic, shumë i popullarizuar në SHBA – si dhe Bayer nga Gjermania dhe Sanofi nga Franca, së bashku me firmën zvicerane Roche, morën pjesë në diskutim, sipas burimeve.
Kompanitë amerikane që operojnë në Evropë nuk u ftuan në takim, megjithëse ato kanë një prani të konsiderueshme në kontinent, sipas të njëjtave burime.
Në diskutim morën pjesë gjithashtu shoqatat tregtare që përfaqësojnë sektorin, përfshirë EFPIA dhe Eucope për industrinë farmaceutike të BE-së, si dhe Medicines for Europe për sektorin e barnave gjenerike dhe EuropaBio për kompanitë bioteknologjike.
Irlanda konsiderohet ndër më të rrezikuarat në rast të vendosjes së tarifave, pasi atje ndodhen qendra të rëndësishme prodhimi për gjigantët farmaceutikë amerikanë si Pfizer, Johnson & Johnson, Eli Lilly, Bristol-Myers Squibb dhe AbbVie. Eksportues të tjerë të mëdhenj të produkteve farmaceutike dhe bioteknologjike përfshijnë Danimarkën, Belgjikën dhe Gjermaninë./Gazeta Shneta/




