Klinika e Kardiologjisë në QKUK është e vetmja klinikë e nivelit terciar në Kosovë që trajton çdo ditë pacientë me sëmundje të ndryshme të zemrës. Vetëm gjatë vitit 2024, në këtë klinikë janë realizuar 4200 koronografi dhe rreth 2500 stentime.
Sipas drejtorit të kësaj klinike, Dr. Faik Shatri, këto shifra paraqesin punë intensive në këtë klinikë, por shqetësuese mbetet lista e pritjes, ku po punohet për ta shkurtuar atë, megjithëse ajo mbetet ende e gjatë, shkruan Gazeta Shneta.
“Kemi krijuar grupin punues ku, nga 4600 pacientë sa kanë qenë më parë, aktualisht kemi 2800 pacientë që janë në listën e pritjes. Po bëjmë rishikim të vazhdueshëm dhe filtrimin e rasteve të cilët nuk kanë nevojë për këtë procedurë pa i kryer ekzaminimet e tjera paraprake,” u shpreh Dr. Shatri.
Ai thekson se, përveç fluksit të madh të pacientëve, klinika vazhdon të përballet me sfida të mëdha.
“Sfidë mbetet numri i kufizuar i infermierëve. Suksesi i cilësisë së një klinike bazohet në cilësinë e infermierëve. Sfida tjetër është aparatura e vjetruar, por lajmi i mirë është se qeveria e Luksemburgut ka dhënë donacion një aparat të ri të koronografisë, që do të vihet në funksion shumë shpejt,” shtoi Dr. Shatri./Gazeta Shneta/
Për këto dhe detaje të tjera shihni videon më poshtë:




