Një studim i ri i udhëhequr nga studiues në NYU Langone Health dhe Perlmutter Cancer Center tregon se një analizë gjaku e bazuar në gjenet e qelizave tumorale të vdekura – e njohur si ctDNA – mund të parashikojë me saktësi rikthimin e melanomës (një formë agresive e kancerit të lëkurës).
Rezultatet treguan se rreth 80% e pacientëve me melanomë të stadit III që kishin nivele të zbulueshme të ctDNA para trajtimit, përjetuan rikthim të sëmundjes.
Për më tepër, tek këta pacientë kanceri u rikthye më shpejt – më shumë se katër herë më shpejt – krahasuar me ata që nuk kishin këtë biomarkues në gjak.
Gjithashtu, ata që kishin ctDNA të zbulueshme edhe pas 3, 6, 9 apo 12 muajsh trajtim, në shumicën dërrmuese të rasteve përjetuan rikthim të sëmundjes.
Kjo tregon se monitorimi i këtyre fragmenteve gjenetike mund të jetë një mënyrë shumë efektive për të ndjekur progresin e trajtimit dhe për të zbuluar rikthimin e sëmundjes herët – madje më herët se teknikat standarde si skaneri apo rrezet X.
Studiuesit shpresojnë që në të ardhmen kjo analizë gjaku të përdoret rregullisht në klinika për të ndihmuar në marrjen e vendimeve më të mira për trajtimin e pacientëve me melanomë./Gazeta Shneta/


