Të bësh scroll në telefon gjatë gjidhënies apo gjatë momenteve të pushimit me foshnjën mund të duket si diçka e padëmshme, por një studim i fundit nga Universiteti i Pavias tregon se kjo sjellje mund të ndikojë negativisht në mirëqenien emocionale të foshnjës.
Studiuesit, duke përdorur teknika të avancuara si termografia me infra të kuqe, kanë zbuluar se edhe ndërprerjet e shkurtra të vëmendjes për shkak të telefonit shkaktojnë reagime të menjëhershme tek bebet, që variojnë nga sjellje shqetësuese deri te ndryshime fiziologjike në temperaturën e lëkurës së fytyrës.
Në studim u përfshinë 38 foshnja të moshës 3 deri në 5 muajsh, së bashku me nënat e tyre. Vetëm shpërqendrimi nga pajisjet digjitale dhe jo ai nga faktorë të tjerë, rezultoi se aktivizon sistemin nervor simpatik të foshnjës, që lidhet me ndjenjën e stresit.
“Edhe ndërprerjet e shkurtra të ndërveprimit, si ato nga përdorimi i telefonit, mund të ndikojnë në cilësinë e lidhjes emocionale nënë-fëmijë,” shpjegon autorja kryesore e studimit, dr. Sarah Nazzari.
Profesori Livio Provenzi shton: “Ky është një hap tjetër në kërkimet tona për të kuptuar më mirë ndikimin që kanë prindërit në zhvillimin emocional të fëmijës në 1000 ditët e para të jetës, nga shtatzënia deri në moshën 2-vjeçare”.


