Një studim i ri tregon se përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve tek fëmijët nën moshën 2-vjeçe lidhet me rritje të ndjeshme të rrezikut për astmë, alergji ndaj ushqimeve dhe alergji sezonale.
Studiuesit besojnë se shkak mund të jenë ndryshimet që antibiotikët shkaktojnë në mikrobiomën e zorrëve – një sistem i ndërlikuar bakteresh të dobishme që luajnë rol kyç në zhvillimin e imunitetit, raporton Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Ata analizuan të dhënat e më shumë se 1 milion fëmijëve dhe i krahasuan në bazë të historikut të përdorimit të antibiotikëve dhe më shumë se një duzine gjendjesh shëndetësore.
Sipas rezultateve, ekspozimi ndaj antibiotikëve para moshës 2-vjeç lidhej me një rritje prej 24% të rrezikut për astmë dhe 33% për alergji ushqimore më vonë gjatë fëmijërisë.
Megjithatë, nuk u gjetën lidhje të rëndësishme midis përdorimit të antibiotikëve dhe sëmundjeve të tjera si sëmundja celiake, sëmundjet inflamatore të zorrëve, çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), apo spektri i autizmit.
Autori kryesor i studimit tha se:
“Antibiotikët janë thelbësorë në trajtimin e infeksioneve bakteriale, por mjekët duhet të jenë të kujdesshëm kur i përshkruajnë tek fëmijët nën moshën 2-vjeç, pasi përdorimi i shpeshtë mund të ndikojë në shëndetin afatgjatë.”
Ky studim u publikua në “Journal of Infectious Diseases”. /Gazeta Shneta/


