Grupi Punues për Shërbimet Parandaluese në SHBA (USPSTF) ka dalë me një rekomandim të ri, ku thekson rëndësinë e ofrimit të këshillimit për gratë që janë në rrezik të shtuar për depresion perinatal, i cili përfshin periudhën gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.
Ky rekomandim bazohet në një analizë të thelluar të 75 studimeve me mbi 30,000 gra pjesëmarrëse, e cila u publikua në formë deklarate paraprake më 22 prill 2025, transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit zbuluan se këshillimi, veçanërisht ai me bazë në terapinë njohëse-sjellore (CBT) dhe terapinë ndërpersonale (IPT), ishte ndërhyrja më efektive dhe më e qëndrueshme për të parandaluar depresionin perinatal.
Nga 27 studime me rreth 6,500 pjesëmarrëse, u vu re një ulje prej 17% e rrezikut për zhvillim të depresionit në periudhën afatgjatë. Ndërkohë, edhe ndërhyrjet edukative treguan përfitime – 12 studime me mbi 11,000 pjesëmarrëse raportuan një reduktim prej 21% të rasteve të reja me depresion, megjithatë nuk pati ndryshim domethënës në përmirësimin e simptomave.
Bazuar në këto gjetje, USPSTF i rekomandon mjekëve që të ofrojnë ose t’i referojnë për këshillim gratë që konsiderohen në rrezik të lartë për PND gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.
Ky është një rekomandim i nivelit B, që do të thotë se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur përfitimet e ndërhyrjes./Gazeta Shneta/


