Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur një qendër të quajtur “Qendra e Bioinformatikës” e cila ofronte shërbime shëndetësore pa pasur licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
Vendimi i Inspektoratit për mbyllje ka ardhur pas interesimit nga Gazeta Shneta për këtë institucion.
“Ju informojmë se më datën 24.04.2025, Inspektorati Shëndetësor ka realizuar një inspektim në subjektin “Qendra e Bioinformatikës – Inform Terapy”. Gjatë këtij inspektimi, u konstatuan shkelje, pasi subjekti nuk ishte i pajisur me licencë pune nga Ministria e Shëndetësisë. Si pasoj, është vendosur që veprimtaria e këtij subjekti të ndërpritet përkohësisht, deri në pajisjen e tij me licencë pune”, kanë deklaruar nga Inspektorati.
Në këtë institucion pretendohej se ofrohen shërbime diagnostike dhe terapeutike me teknologji të mikroprocesorëve.
Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga kjo qendër por të njëjtit nuk janë përgjigjur përmes email adresës. /Gazeta Shneta/




