Një rishikim sistematik i ri, i publikuar në revistën Addiction, ka zbuluar se prindërit dhe kujdestarët që kanë diagnoza të lidhura me alkoolin kanë dyfish më shumë gjasa të keqtrajtojnë fëmijët nën kujdesin e tyre, krahasuar me ata që nuk kanë probleme të tilla.
Diagnozat përfshijnë hospitalizime, përdorim të shërbimeve shëndetësore për shkak të alkoolit dhe varësi të konfirmuar klinikisht.
Ndërsa format e keqtrajtimit përfshijnë abuzimin fizik, psikologjik, emocional, seksual, neglizhencën dhe prindërimin e ashpër.
Rishikimi përfshiu 12 studime të realizuara në vende me të ardhura të larta si Australia, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, me madhësi të mostrës nga 501 deri në mbi 84 mijë pjesëmarrës.
Autorja kryesore, Dr. June Leung, tha se ky është rishikimi i parë sistematik që lidh diagnozat e përdorimit të alkoolit nga kujdestarët me të gjitha format e keqtrajtimit të fëmijëve.
Ajo thekson se gjetjet kërkojnë masa më të forta për të kufizuar dëmet nga alkooli, përfshirë edhe parandalimin e keqtrajtimit të fëmijëve.


