Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, ka dalë sot me një deklaratë publike pas incidentit që ndodhi në parkingun e QKUK-së, ku vetura e tij u dëmtua nga një mjet shpërthyes, raporton Gazeta Shneta.
Në fjalën e tij, Hajdari tha se e kupton pritjen e gjatë të mediave dhe falënderoi të gjithë ata që i kanë shprehur mbështetje gjatë kësaj periudhe.
“Ju kërkoj ndjesë që keni pritur gjatë, por për shkak të procedurave administrative që i kanë organet e rendit, nuk mundëm të dalim më herët. Dua të falënderoj secilin mik, shok e koleg që shprehën solidaritet dhe mbështetje – mbështetje që më inkurajoi edhe më shumë për të vazhduar punën dhe për të drejtuar institucionin,” tha Hajdari.
Ai përshkroi shkurtimisht edhe ngjarjen e ditës së sotme. Sipas tij, rreth orës 08:20 ai kishte parkuar veturën e tij private në hapësirat e QKUK-së dhe kishte vazhduar me detyrat e përditshme, derisa u njoftua për një shpërthim.
“Pas një ore e diçka, drejtori i përgjithshëm më njoftoi se ka pasur një shpërthim në parkingun e QKUK-së. E vizituam vendin dhe u konstatua se kishte një mjet shpërthyes në makinën time,” deklaroi ai.
Hajdari theksoi se nuk ka asnjë problem në jetën e tij private dhe beson se ky incident lidhet drejtpërdrejt me funksionin e tij publik dhe përpjekjet për të vendosur rend e rregull në QKUK.
“Kjo punë po u pengon grupeve të ndryshme interesi, përfshirë edhe ato me motive financiare, të cilat mund të kenë lidhje me zyrtarë të QKUK-së apo të tjerë. Nëse këto grupe kanë zgjedhur metoda si kjo për të na frikësuar, e kanë shumë gabim. Do të jemi më të vendosur se kurrë,” u shpreh Hajdari. /Gazeta Shneta/




