Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari, ka folur sërish në lidhje me incidentin e sotëm, ku vetura e tij u dëmtua nga një mjet shpërthyes në parkingun e QKUK-së.
Përmes një reagimi, Hajdari sulmin e quajti si një akt që ngre dyshime të forta për tentativë atentati nga persona ende të panjohur, shkruan Gazeta Shneta.
“Sot kam qenë objekt i një shpërthimi në veturën time – një akt që ngre dyshime të forta për tentativë atentati nga persona ende të panjohur për mua. Dua ta bëj të qartë se nuk i kam borxh askujt, as nuk i kam hyrë dikujt në hak ndonjëherë”, tha Hajdari.
Ai tutje u shpreh duke thënë se dikujt po i pengon e vërteta, drejtësia dhe puna e tij e ndershme.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Sot kam qenë objekt i një shpërthimi në veturën time – një akt që ngre dyshime të forta për tentativë atentati nga persona ende të panjohur për mua. Dua ta bëj të qartë se nuk i kam borxh askujt, as nuk i kam hyrë dikujt në hak ndonjëherë.
Nuk kam frikë. Asnjëherë nuk kam pasur dhe as tani nuk do të lejoj të më ndalë frika. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim, me ndërgjegje të pastër dhe përkushtim të plotë.
Dikujt po i pengon e vërteta, drejtësia dhe puna ime e ndershme. Por sado të përpiqen, nuk do të më thyejnë. Përballë ligësisë, unë zgjedh të qëndroj drejt.
Ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që sot më keni shkruar, më keni thirrur dhe më keni qëndruar pranë. Mbështetja juaj më jep forcë.
Ne nuk ndalemi!




