Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë ka deklaruar se ka “identifikuar gjetje” në barnatoren “Riga Pharm” por nuk ka treguar se çfarë masa mori.
Rrjeti i barnatoreve “Riga Pharm” në javët e fundit ka promovuar shërbime shëndetësore për pacientët si matja e sheqerit në gjak, matja e tensionit, matja e oksigjenit dhe yndyrës, etj, shkruan Gazeta Shneta.
Ndonëse këto shërbime të jashtëligjshme kanë qenë publike në rrjetet sociale, Inspektorati Farmaceutik ka iniciuar inspektim vetëm pas pyetjeve të dërguara nga Gazeta Shneta.
Por edhe pse është bërë inspektimi, IF dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë treguar se çfarë masa janë ndërmarr.

“Bazuar në elementet e ankesës së datës 18.03.2025, Inspektorati Farmaceutik, më datën 20.03.2025, ka kryer një inspektim në barnatoren ‘Riga Pharm, nj.43’, e cila ndodhet në lagjen ‘Bregu i Diellit’, në Prishtinë. Gjatë këtij inspektimi, janë identifikuar dhe vlerësuar disa gjetje, për të cilat Inspektorati ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Institucionit i është ndaluar që të ofrojë sherbimet e paraqitura në ankesë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Gazeta e ka pyetur sërish këtë institucion se cilat kanë qenë gjetjet dhe çfarë masa janë ndërmarr, por të njëtit nuk kanë kthyer përgjigje as pas tre javësh.
Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga “Riga Pharm” por nuk janë përgjigjur.
Kjo nuk është hera e parë që barnatoret kryejnë shërbime shëndetësore ndonëse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj. /Gazeta Shneta/
Inspektorati ia ndalon analizat kompanisë “CFO Pharma” pas informimit nga Gazeta Shneta




