Inspektorati Farmaceutik ia ka ndal veprimtarinë një kompanie farmaceutike “Cfo Pharma” e cila kryente disa teste të vitaminave, yndyrës në gjak dhe sheqerit nëpër barnatore private. Ndalja e kësaj veprimtarie nga IF ndodhi pasi u informua nga Gazeta Shneta.
Matje e vitaminave, yndyrnave dhe sheqerit në gjak, ishte një veprimtari që e zhvillonte kompania “CFO Pharma” nëpër barnatore në tërë territorin e Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Përmes kësaj veprimtarie kompania synonte të shiste produktet e saj më lehtë tek qytetarët.
Por siç duket kjo veprimtari është ushtruar pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë, pasi e njëjta është stopuar nga Inspektorati Farmaceutik. Kjo masë nga IF është ndërmarr pasi është informuar nga Gazeta Shneta.
“Për rastin në fjalë , duke iu falënderuar për informacionin iu njoftoj se janë te përcaktuar dy inspektor te cilët deri me tani kanë inspektuar pos Qarkulluesit me Shumicë të Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale ‘CFO Pharma’ edhe dy subjekte tjera si qarkullues me pakicë. Ajo që është me rendësi një veprimtari e tillë është e stopuar kurse masat tjera do te ndermirën në ditët në vijim, pasi të përfundon rasti”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Farmaceutik për Gazetën Shneta.
Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga kompania në fjalë por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
“CFO Pharma” është kompani farmaceutike me veprimtari që disa vite në Kosovë dhe Shqipëri. Veprimtaria e matjes së vitaminave, yndyrnave dhe sheqerit në gjak nëpër barnatore private bëhet që disa muaj. Madje këto aktivitete janë bërë edhe publike në rrjetet sociale. /Gazeta Shneta/