Një studim i publikuar së fundmi në “Science Immunology”, ka hetuar në mënyrë të detajuar ndryshimet në ekspresionin e gjeneve në indet e lëkurës te pacientët me psoriazë, përmes një teknike inovative të quajtur transkriptomikë hapësinore.
Kjo qasje i lejon studiuesit të analizojnë me saktësi aktivitetin gjenetik në pjesë të ndryshme të lëkurës, duke krahasuar lëkurën e shëndetshme me atë të prekur nga psoriaza, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan ndryshime të dukshme në shpërndarjen dhe funksionin e qelizave imune, veçanërisht fibroblasteve dhe makrofagëve, të cilat në format më të rënda të sëmundjes gjenden më afër sipërfaqes së lëkurës.
Studiuesit zbuluan gjithashtu një rritje të ekspresionit të gjeneve të lidhura me metabolizmin e lipideve dhe kontrollin e kolesterolit, jo vetëm në zonat e prekura por edhe në pjesë të paprekura të lëkurës.
Kjo sugjeron se ndryshimet molekulare të psoriazës mund të jenë më të përhapura sesa simptomat e dukshme dhe potencialisht kontribuojnë në rrezikun e diabetit të tipit 2, sëmundjes së mëlçisë yndyrore joalkoolike dhe problemeve të tjera metabolike.
“Qëllimi ynë ishte të identifikonim sinjale molekulare që parashikojnë zhvillimin e formave më të rënda të psoriazës dhe komplikimeve të saj, si artriti psoriatik dhe sëmundjet kardiovaskulare,” u shpreh Dr. Jose Scher nga NYU Langone Health, bashkëautor i studimit.
Psoriaza, që prek deri në 3% të popullsisë globale, nuk është vetëm një sëmundje e lëkurës por lidhet edhe me çrregullime mendore, sindromën metabolike dhe sëmundje të zemrës.
Ky studim i ri hap rrugë për kuptim më të thellë dhe trajtim më të personalizuar të sëmundjes. /Gazeta Shneta/


