Përveçse ndihmojnë në uljen e oreksit dhe humbjen e peshës, ilaçet në formë të injeksioneve për humbje peshe mund të kenë efekte pozitive në shëndetin mendor, sipas një studimi të Universitetit të Bernës.
Hulumtimi, i prezantuar në Kongresin Evropian mbi Obezitetin në Malaga, tregoi se ilaçet si semaglutidi (Ozempic, Wegovy) përmirësojnë humorin dhe cilësinë e jetës më shumë sesa insulina dhe medikamentet e tjera antidiabetike, raporton The Guardian përcjell Gazeta Shneta.
Këto ilaçe, të quajtura agonistë të receptorit GLP-1, ngadalësojnë tretjen dhe shtypin oreksin. Studimi përfshiu edhe persona me çrregullime të rënda mendore që përdorin antipsikotikë apo antidepresivë.
Rezultatet treguan përmirësim të mirëqenies mendore pa rritje të rrezikut për sëmundje të reja mendore apo shtrime në psikiatri.
Autorja kryesore, Dr. Sigrid Breit, theksoi se efektet e dobishme mund të lidhen me veprimin anti-inflamator dhe antioksidues të këtyre barnave.
Teksa, ekspertët vlerësuan gjetjet, por theksuan se përdorimi i injeksioneve duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.
Rachel Hastings-Caplan nga organizata “Rethink Mental Illness”, paralajmëroi se ndonëse premtuese, këto barna nuk janë zgjidhje afatgjatë. Sipas saj, nevojiten më shumë investime në trajtime që nuk përkeqësojnë shëndetin fizik. /Gazeta Shneta/


