Ginsengu është një nga suplementet më të njohura ushqimore në botë, i njohur për vetitë antioksiduese, anti-inflamatore dhe potencialin kundër kancerit.
Një studim i fundit nga Universitat Oberta de Catalunya (UOC), i publikuar në revistën shkencore “Nutrients”, tregon se ai mund të jetë gjithashtu i dobishëm për ata që ushtrojnë rregullisht, shkruan burimi Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan mbi 700 artikuj shkencorë dhe zbuluan se marrja e ginsengut ndihmon në uljen e lodhjes dhe përmirëson rigjenerimin e muskujve pas aktivitetit fizik.
“Ginsengu mund të luajë një rol të rëndësishëm si suplement rikuperues pas stërvitjes,” tha Borja Muñoz, bashkautor i studimit dhe trajner fitnesi.
Përbërësit aktivë të ginsengut veprojnë si stimulues të sistemit nervor qendror, duke rregulluar kortizolin (hormonin e stresit), dhe duke mbështetur funksionet metabolike dhe imunitare të trupit.
Studimi thekson se ai zvogëlon dëmtimin inflamator të muskujve, sidomos duke ndikuar në shënues biologjikë si kreatinë kinaza (CK) dhe interleukina-6 (IL-6). Po ashtu, ginsengu redukton laktatin në gjak, një përbërës që shkakton lodhjen muskulore gjatë stërvitjes intensive.
Konsumi i rregullt i këtij suplementi, në mungesë kundërindikacionesh mjekësore, mund të ndihmojë në përmirësimin e performancës fizike dhe uljen e rrezikut të lëndimeve të muskujve dhe ligamenteve. Ai është veçanërisht i dobishëm për sportistët dhe të gjithë ata që ushtrohen rregullisht. /Gazeta Shneta/


