Amerikanët po i drejtohen gjithnjë e më shumë terapisë me bisedë për të ruajtur shëndetin mendor, ndërsa përdorimi i barnave psikiatrike po bie.
Një studim i publikuar në fillim të majit në American Journal of Psychiatry tregon se pas shumë vitesh të mbështetjes në medikamente, kujdesi për shëndetin mendor në SHBA po kthehet drejt psikoterapisë.
Sipas studimit, në vitin 2021, 15% e personave që kishin marrë trajtim ambulator për shëndetin mendor ishin mbështetur vetëm në terapi me bisedë, krahasuar me më pak se 12% në vitin 2018. Ndërkohë, ata që përdornin vetëm medikamente si antidepresivë, antipsikotikë apo barna për ADHD, ranë nga 68% në 62%, transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, roli i psikiatërve në ofrimin e vetë psikoterapisë ka rënë, nga 41% në 2018 në 34% në 2021. Kjo ka rritur nevojën që psikiatrit të bashkëpunojnë me terapistë të tjerë jo-mjekë, si punonjës socialë dhe këshilltarë, të cilët tashmë po marrin një rol më të madh në këtë fushë.
Po ashtu, vërehet një përkushtim më i madh i pacientëve ndaj psikoterapisë: përqindja e atyre që kanë ndjekur më shumë se 20 seanca është rritur në mbi 17%, ndërsa ata që kanë ndërprerë terapinë pas një ose dy vizitash është ulur ndjeshëm. Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Mark Olfson nga Universiteti Columbia, këto të dhëna tregojnë një kthesë të qartë drejt terapisë me bisedë si formë e qëndrueshme dhe efektive e trajtimit./Gazeta Shneta/


