Aktiviteti fizik, veçanërisht përfshirja në sporte të organizuara gjatë fëmijërisë së hershme, mund të jetë një faktor mbrojtës kundër çrregullimeve mendore në adoleshencë. Kjo është ajo që sugjeron një studim i publikuar së fundmi në British Journal of Sports Medicine, duke u bazuar në të dhëna nga Suedia.
Studiuesit kanë analizuar mbi 16 mijë fëmijë të përfshirë në studimin afatgjatë ABIS, të ndjekur nga lindja deri në moshën 18-vjeçare. Të dhënat zbuluan se fëmijët që ishin më aktivë fizikisht në moshën 11 vjeç, kishin 12% më pak gjasa të diagnostikoheshin me ndonjë çrregullim mendor gjatë adoleshencës.
Por studimi zbuloi edhe dallime të qarta gjinore. Djemtë përfitonin dukshëm më shumë nga aktiviteti fizik sesa vajzat. Për shembull, rreziku i depresionit te djemtë ishte deri në 29% më i ulët, ndërsa te vajzat vetëm 18%. Madje, te djemtë efektet mbrojtëse nisnin që në moshën 5 vjeç, veçanërisht kundër depresionit, ankthit dhe varësisë – efekt që nuk u vu re te vajzat në të njëjtat moshë.
Ndërkohë, pjesëmarrja në sporte të organizuara rezultoi edhe më efektive. Djemtë që merrnin pjesë rregullisht në sporte të organizuara kishin 35% më pak gjasa të preken nga depresioni, dhe 30% më pak nga varësia. Edhe vajzat përfitonin: pjesëmarrja në sporte lidhej me 11% rrezik më të ulët për depresion dhe 41% më të ulët për varësi.
Studiuesit theksojnë se këto dallime mund të lidhen me faktorë biologjikë, si nivelet hormonale, por edhe me ndikime kulturore dhe përvoja psikologjike të ndryshme mes gjinive.
Ata sugjerojnë se periudha ndërmjet moshës 10 dhe 12 vjeç mund të jetë kyçe për ndërtimin e qëndrueshmërisë mendore./Gazeta Shneta/


