Evropianët paguajnë çmime të ndryshme për barna, në varësi të vendit ku jetojnë, por në përgjithësi shpenzojnë shumë më pak sesa Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë për mediat, kritikoi BE-në duke thënë se vendet evropiane janë “të vështira”, “të ashpra” dhe “të këqija” në negociatat me kompanitë farmaceutike, duke premtuar se amerikanët do të paguajnë çmimet që momentalisht paguan Evropa.
Në vitin 2022, SHBA shpenzoi 617 miliardë dollarë për barna, ndërsa 24 vende evropiane shpenzuan së bashku vetëm 233.5 miliardë, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Trump propozoi lidhjen e çmimeve të barnave me çmimet më të ulëta që paguajnë vendet e pasura – në rast se kompanitë nuk i ulin vetë.
Në Evropë, vendet negociojnë çmimet me prodhuesit, ndryshe nga SHBA ku kjo ndodh rrallë. Shumë shtete evropiane marrin parasysh çmimet e barnave në vendet e tjera për të përcaktuar sa janë të gatshme të paguajnë.
Megjithatë, çmimet ndryshojnë sipas vendit. Negociatat shpesh janë konfidenciale, gjë që sipas kritikëve ndikon në rritjen e çmimeve.
Prioritetet gjithashtu ndryshojnë: Anglia dhe Suedia vlerësojnë koston në raport me përfitimin, ndërsa Gjermania fokusohet në përfitimin krahasuar me barnat ekzistuese.
Çmimet janë rritur vitet e fundit; në Gjermani, për shembull, kostot e barnave në spitale u rritën me 11.5% nga 2012 në 2022. Sipas ekspertëve, shumë shtete evropiane tashmë janë në kufijtë e përballueshmërisë.
Nëse SHBA apo kompanitë farmaceutike ushtrojnë presion për rritje të mëtejshme, kjo mund të ketë pasoja të mëdha për buxhetet kombëtare.
Për më tepër, mënyra e pagesës ndryshon – disa vende mbulojnë shumicën e barnave përmes sistemit publik, ndërsa të tjera kërkojnë bashkëpagesa apo mbulim nga sigurimet shtesë. /Gazeta Shneta/




