Një studim i ri i publikuar në Journal of the American Heart Association ka ngritur shqetësime serioze lidhur me Takotsubo kardiomiopatinë, e njohur ndryshe si sindroma e zemrës së thyer.
Hulumtimi zbulon se nga viti 2016 deri më 2020, rreziku për vdekje dhe komplikime të rënda nga kjo gjendje ka mbetur i lartë dhe pa përmirësim të dukshëm.
Sindroma, e cila shkaktohet nga stresi emocional apo fizik – si humbja e një personi të dashur apo një divorc – shkakton dobësim të përkohshëm të një pjese të zemrës, shpesh duke u ngatërruar me një atak në zemër për shkak të simptomave të ngjashme. Megjithatë, ndryshe nga një sulm klasik në zemër, Takotsubo nuk përfshin bllokim të arterieve koronare, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta
Sipas autorit kryesor të studimit, kardiologut M. Reza Movahed nga Universiteti i Arizonës, norma e vdekshmërisë në spital ishte 6.5%, pa ndryshime për pesë vite me radhë. Burrat rezultuan veçanërisht të rrezikuar, me një normë vdekshmërie 11.2%, krahasuar me 5.5% te gratë.
Ndër komplikimet më të shpeshta u evidentuan:
Dështimi i zemrës (35.9%)
Fibrilimi atrial (20.7%)
Shoku kardiogjenik (6.6%)
Goditjet në tru (5.3%)
Arrestet kardiake (3.4%)
Studimi analizoi të dhënat e mbi 199,000 pacientëve të rritur në SHBA, kryesisht gra (83%), me moshë mesatare 67 vjeç. Të bardhët kishin incidencën më të lartë të sindromës (0.16%), të ndjekur nga amerikanët indigjenë (0.13%) dhe afro-amerikanët (0.07%).
Një gjetje e veçantë ishte se personat mes moshës 46-60 vjeç kishin 2.6 deri në 3.2 herë më shumë gjasa të preken nga sindroma, krahasuar me ata të moshës 31-45 vjeç.
Mjekët theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të saktë dhe trajtimit të menjëhershëm, sidomos në parandalimin e goditjeve në tru te pacientët me fibrilim atrial apo muskul të zemrës të dobësuar rëndë.
Pavarësisht përparimeve në kardiologji, kjo gjendje ende paraqet rrezik të lartë për jetën. Ekspertët bëjnë thirrje për kërkime të reja, për të kuptuar më mirë mekanizmat e sindromës dhe për të zhvilluar trajtime më efikase, veçanërisht për burrat që rezultojnë më të rrezikuar./ Gazeta Shneta/




