Rastet e COVID-19 po rriten përsëri, ndërsa një variant i ri fillon të qarkullojë në disa pjesë të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se rritja e rasteve është kryesisht në rajonet e Mesdheut lindor, Azisë Juglindore dhe Paqësorit perëndimor.
Kontrolli i aeroporteve në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar variantin e ri tek udhëtarët që mbërrijnë nga ato rajone në destinacione në Kaliforni, shtetin e Uashingtonit, Virxhinia dhe Nju Jork.
Varianti i ri quhet NB.1.8.1. Ai vjen në një kohë kur qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara mbi vaksinimin kundër COVID-19 po ndryshon. Të martën, Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. njoftoi se vaksinat kundër COVID-19 nuk rekomandohen më për fëmijë të shëndetshëm dhe gra shtatzëna – një veprim i vënë menjëherë në dyshim nga disa ekspertë të shëndetit publik.
Varianti i ri, i cili po rritet globalisht, deri në mesin e majit kishte arritur gati 11% të mostrave të sekuencuara të raportuara. OBSH-ja e ka përcaktuar atë si një “variant nën monitorim” dhe e konsideron rrezikun e shëndetit publik të ulët në nivel global, me vaksinat aktuale që pritet të mbeten efektive.
OBSH tha se disa vende të Paqësorit perëndimor kanë raportuar rritje të rasteve të COVID-it dhe të shtrimeve në spital, por deri më tani nuk ka asgjë që të sugjerojë se sëmundja e lidhur me variantin e ri është më e rëndë krahasuar me variantet e tjera.
Varianti i quajtur LP.8.1 është aktualisht versioni dominues në SHBA dhe globalisht./Gazeta Shneta/




