Qendra Operative Emergjente e Shëndetit Publik, që funksionon brenda Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), vazhdon të jetë një prej mekanizmave kyç për reagim të shpejtë ndaj çdo kërcënimi epidemiologjik në vend.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Dr. Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në IKSHPK, theksoi se kjo qendër ka një rol thelbësor në mbikëqyrjen e situatave epidemiologjike, vlerësimin dhe koordinimin e përgjigjes së institucioneve në rast të ndonjë epidemie që rrezikon shëndetin publik.
“Qendra është funksionale që nga koha e pandemisë. Edhe pse aktualisht jemi në një fazë më të qetë, ajo mbetet gjithmonë në gatishmëri. Sa herë që vlerësohet se ka një kërcënim për shëndetin publik, ajo aktivizohet menjëherë me të gjithë mekanizmat e saj dhe jep udhëzime të koordinuara për institucionet përkatëse për parandalimin e situatës,” u shpreh Dr. Hoti.
Ai tregon gjithashtu se Qendra Operative Emergjente përfshihet kryesisht në emergjenca të natyrës shëndetësore, përfshirë sëmundjet infektive, por vepron edhe në raste të tjera që ndikojnë në mënyrë të tërthortë në shëndetin e popullatës.
“Qendra Operative Emergjente përfshihet në emergjenca të natyrës shëndetësore, siç mund të jenë sëmundjet infektive, por mund të përfshihet edhe në reagime ndaj emergjencave që, në një mënyrë apo tjetër, ndikojnë në shëndetin e popullatës,” theksoi Dr. Hoti.
Një nga çështjet e fundit me të cilat është përballur kjo qendër ka qenë paraqitja e rasteve me fruth në Kosovë.
“Kohëve të fundit kemi një lloj alarmi për shkak të rasteve të fruthit. Gjatë gjithë ditës komunikojmë me qendrat rajonale të shëndetit publik, me qendrat e mjekësisë familjare dhe me ato të vaksinimit. Po koordinojmë përgjigjen, identifikojmë zonat me persona të pavaksinuar, dhe ndërmarrim masa për vetëdijesim, edukim dhe ndërhyrje të menjëhershme,” shtoi ai.
Për më shumë ndiqni videon më poshtë:




