Studiuesit kanë kuptuar më mirë se si ritmi cirkadian i trupit — cikli natyral 24-orësh i gjumit dhe zgjimit — ndikon në shëndetin e përgjithshëm.
Studimet e mëparshme kanë treguar se çrregullimi i këtij ritmi mund të rrisë rrezikun për disa sëmundje si sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2, obeziteti, depresioni dhe disa lloje të kancerit.
Përveç rregullimit të orarit të gjumit dhe zgjimit, ritmi cirkadian ndikon edhe në aktivitetet e përditshme, si koha kur ushqehemi apo kur ushtrohemi fizikisht. Gjithashtu ndikon në performancën gjatë stërvitjes, kohën e rikuperimit, rregullimin e temperaturës trupore dhe në nivelin e hormoneve.
Një studim i ri, i publikuar në revistën “Medicine & Science in Sports and Exercise”, tregon se njerëzit që ushtrohen çdo ditë në të njëjtën orë mund të përmirësojnë shëndetin kardiovaskular dhe të mushkërive ndërsa plaken.
Këto rezultate sugjerojnë se koha e qëndrueshme e aktivitetit fizik, në përputhje me ritmin natyror të trupit, mund të jetë një mënyrë efektive për të mbështetur shëndetin afatgjatë. /Gazeta Shneta/


