Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerr raport të pamodifikuar për Ministrinë e Shëndetësisë për pasqyrat financiare për vitin 2024. Në këtë raport janë evidentuar vetëm tre gjetje, ndërsa rekomandimet nga viti 2023 janë realizuar. Një nga gjetjet është për specifikat në prokurim.
ZKA ka publikuar raportin për pasqyrat financiare për vitin 2024 të Ministrisë së Shëndetësisë. Raporti është publikuar me “Opinion të pamodifikuar”, i cili realisht është një nga raportet më pozitive për këtë institucion në vitet e fundit.
“Sipas opinionit tonë Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërrtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik…”, thuhet në këtë raport.
Megjithatë në raport janë evidentuar tre gjetje. Një nga to është më problematike. Bëhet fjalë për specifikat në dy tenderë.
Sipas raportit të ZKA-së në Dosjen e Tenderit “Ndërtimi i QKMF-së në Istog” me vlerë 2,364,143 Euro, janë përmendur emra të brendeve të caktuara tek paramasa dhe parallogaria. “Po ashtu OE fitues kishte paraqitur kontratë të menaxherit të projektit të nënshkruar nga i njëjti person në rolin e punëdhënësit dhe punëmarrësit”, thuhet në raport.
Një e gjetur tjetër është për procedurën e prokurimit “Furnizim me pajisje mjekësore dhe inventar në repartin e pediatrisë në Mitrocvicë – Lot 2” me vlerë mbi 45 mijë euro.
“Janë evidentuar se disa produkte me përshkrim të njëjtë teknik janë paraqitur si pozicione të ndara me emërtime të ndryshme. Si rezultat, është nënshkruar dhe realizuar kontrata me çmime të ndryshme për produktin e njëjtë”, thuhet në raport.
ZKA ka kërkuar nga ministri që të marr masa për kontrollet e brendshme me qëllim të zbatimit të plot të kërkesave ligjore në këto procedura.
Dy gjetjet tjera kanë të bëjnë me prezantimin jo të saktë të informatave, respektivisht nga Inspektorati Shëndetësor si dhe Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, si dhe gjetja e tretë ka evidentuar prezantim jo të saktë të detyrimeve kontigjente.
Ndryshe raporti ka theksuar realizimin e plotë të rekomandimeve nga viti 2023. /Gazeta Shneta/




