Një meta-analizë e publikuar në “European Journal of Preventive Cardiology”, sugjeron se flavan-3-olat – përbërës bimorë që gjenden në kakao, çaj, mollë dhe rrush – mund të ndihmojnë në menaxhimin e tensionit të lartë të gjakut.
Këto substanca rezultuan veçanërisht efektive në përmirësimin e funksionit endotelial, i cili luan një rol të rëndësishëm në kontrollin e tensionit të gjakut. Në disa studime, përmirësimet në funksionin e enëve të gjakut ishin të krahasueshme me efektet e disa barnave kundër hipertensionit, raporton Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Meta-analiza përfshiu 145 studime të kontrolluara me përzgjedhje të rastësishme. Pjesëmarrësit konsumuan ushqime të pasura me flavan-3-ol, si çokollatë e zezë, çaj, ekstrakte rrushi apo mollë.
Edhe pse studiuesit nuk rekomandojnë që këto ushqime të zëvendësojnë terapinë me barna, ata theksojnë se përdorimi i tyre si mbështetje mund të ndihmojë në menaxhimin e tensionit të lartë – veçanërisht për personat që tashmë janë të diagnostikuar me hipertension.
Përfitimet më të mëdha u vunë re te personat me tension të lartë në fillim të studimit. Megjithatë, ndikimi pozitiv ishte më i qëndrueshëm në përmirësimin e funksionit të enëve të gjakut sesa në uljen direkte të tensionit.
Këto gjetje nënvizojnë potencialin e ushqimeve të zakonshme dhe të shijshme si aleatë natyralë në përpjekjet për të ruajtur shëndetin kardiovaskular. /Gazeta Shneta/


