Zgjatja e jetëgjatësisë është një ndër fushat më të studiuara në shkencën moderne. Ndër strategjitë më të njohura është kufizimi i kalorive pa kequshqyerje, i cili është treguar se mund të zgjasë jetën në shumë specie.
Së fundmi, një meta-analizë e publikuar në revistën “Aging Cell”, sugjeron se rapamicina – një substancë me origjinë bakteriale – mund të ketë një efekt të ngjashëm, raporton Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit shqyrtuan të dhënat e 167 artikujve shkencorë që përfshinin tetë lloje të ndryshme vertebrorësh, përfshirë minj, peshq dhe makakë. Ata krahasuan efektet e rapamicinës dhe metforminës ndaj kufizimit ushqimor (ulje kalorike dhe agjërim) në zgjatjen e jetës.
Rezultatet treguan se rapamicina, e cila përdoret zakonisht si imunosupresant dhe antibiotik te pacientët që kanë bërë transplant, ka potencial për të zgjatur jetën në mënyrë të krahasueshme me kufizimin kalorik. Nga ana tjetër, metformina – një ilaç i zakonshëm për diabetin e tipit 2 – tregoi ndikim minimal.
Autorja kryesore e studimit, Dr. Zahida Sultanova nga Universiteti i East Anglia në Mbretërinë e Bashkuar, theksoi: “Duke analizuar të dhënat nga qindra studime, gjetëm se rapamicina është pothuajse po aq e besueshme sa ngrënia me më pak kalori për të zgjatur jetën – të paktën në kafshë laboratorike.”
Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të parë nëse këto përfitime vlejnë edhe për njerëzit. /Gazeta Shneta/


