Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e ka anuluar në tërësi konkursin për drejtor të Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Në këtë konkurs ishte përzgjedhur kandidati Hilmi Shala.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka anuluar në tërësi konkursin për përzgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, shkruan Gazeta Shneta.
Vendimi për anulim është marr nga kolegjiumi i përbërë nga tre anëtarë, me dy vota për dhe një kundër. Kryetari Eshref Shabani dhe anëtarja Malsore Gashi-Bajraktari kanë votuar për, kurse anëtarja e tretë Ardita Haxhnikaj-Demi ka paraqitur mendim mospajtues.
Nga KPMSHCK për Gazetën Shneta kanë deklaruar se vendimi i tyre është i prerë dhe sipas ligjit duhet të respektohet nga niveli i lartë drejtues i institucionit në fjalë.
“Konfirmojmë faktin se ankesa e ankuesve lidhur me konkursin në fjalë për pozitën përkatëse së cilës i referoheni, është vendosur përmes Vendimit të Këshillit A.nr.687/2025 të datës 23.06.2025 dhe numër të proktokollit:4295, ndërsa kujtojmë faktin që Vendimi në fjalë në kuptim të nenit 21 paragrafi 1 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.08/L-180, është vendim administrativ i formës së prerë dhe zbatohet nga zyrtari i nivelit të lartë drejtues ose personi përgjegjës i institucionit që e ka marrë vendimin e parë ndaj palës. Thënë si më larte kujtojmë faktin që funksionet e Këshillit janë garantuara dhe përcaktuara me nenin 101, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KPMSHCK-së.
Megjithatë vendimi i KPMSHCK-së nuk është publikuar në uebfaqen zyrtare të këtij institucioni, dhe për këtë çështje KPMSHCK nuk ka dhënë sqarime.
Gjithashtu Gazeta e ka pyetur KPMSHCK-në për mundësinë e konfliktit të interesit të njërës nga anëtaret e Kolegjit, meqë bashkëshorti i saj është i emëruar në një Komision pranë AKPM-së, por KPMSHCK ka zgjedhur të heshtë në këtë çështje.
Kundër përzgjedhjes së Hilmi Shalës ishin ankuar kundërkandidatët Adnan Selmani, Sejdë Tolaj dhe Kushtrim Dakaj.
Kujtojmë se AKPM është me ushtrues detyre prej më shumë se 10 vite. /Gazeta Shneta/




