Për shkak të valës së të nxehtit që pritet të përfshijë vendin nga data 3 deri më 10 korrik 2025, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka lëshuar një vendim me masa mbrojtëse për qytetarët dhe punëtorët e ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme.
Në fokus të vendimit janë punëtorët që veprojnë në ambiente të jashtme, si dhe grupet më të ndjeshme të popullsisë përfshirë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, transmeton Gazeta Shneta.
Masat e rekomanduara përfshijnë:
– Orar fleksibil pune dhe mundësi për punë nga shtëpia, aty ku është e mundur.
– Lirim nga puna për gratë shtatzëna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë.
– Lehtësim për punëtorët me sëmundje kronike që të punojnë nga shtëpia.
– Ajrosje adekuate në ambientet e mbyllura të punës.
– Vendosje të pikave të freskimit me ujë të ftohtë dhe hije në ambientet e jashtme të punës.
– Shpërndarje të informacioneve mbrojtëse për qytetarët përmes mediave dhe kanaleve të komunikimit.
Ministria gjithashtu bën thirrje që institucionet bujqësore dhe sektori privat të planifikojnë punët në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në kulmin e të nxehtit.
Rekomandohet që qytetarët të konsumojnë shumë ujë, të shmangin pijet e gazuara, të përdorin kapele dhe syze dielli, si dhe të mos lënë fëmijët vetëm në veturë gjatë kësaj periudhe. /Gazeta Shneta/




