Pijet me gaz dihet gjerësisht se nuk janë të shëndetshme për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit dhe kalorive. Por edhe pijet dietike janë në qendër të debatit për ndikimet e tyre në shëndet.
Studime të mëparshme i kanë lidhur ato me rreziqe të shumta shëndetësore, përfshirë diabetin tip 2, sëmundjet e zemrës, të mëlçisë, të veshkave, shtimin në peshë, sindromën metabolike dhe disa lloje të kancerit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri i paraqitur në Sesionet Shkencore të Shoqatës Amerikane të Diabetit (ADA) ka zbuluar se gratë me diabet tip 2 që zëvendësojnë pijet dietike me ujë kanë më shumë gjasa të humbin peshë dhe të arrijnë remision të diabetit.
Me remision nënkuptojmë zvogëlimin ose zhdukjen e përkohshme të shenjave dhe simptomave të një sëmundjeje kronike – në këtë rast të diabetit.
Në këtë studim morën pjesë 81 gra me diabet tip 2 dhe mbipeshë ose obezitet, që konsumonin rregullisht pije dietike. Ato u ndanë në dy grupe: njëri grup vazhdoi të merrte pije dietike pas drekës pesë herë në javë, ndërsa grupi tjetër e zëvendësoi këtë zakon me ujë.
Të gjitha pjesëmarrëset morën pjesë në një program 6-mujor për humbje peshe dhe më pas një program 12-mujor për ruajtje të peshës.
Pas 18 muajsh, grupi që pinte ujë humbi ndjeshëm më shumë peshë krahasuar me grupin e pijeve dietike. Po ashtu, 90% e grave në grupin e ujit arritën remision të diabetit, krahasuar me vetëm 45% në grupin tjetër.
Grupi i ujit tregoi përmirësime në shumë tregues shëndetësorë, përfshirë indeksin e masës trupore (BMI), nivelet e glukozës esëll, rezistencën ndaj insulinës, trigliceridet dhe përgjigjen ndaj glukozës pas ushqimit.
Autori kryesor, Dr. Hamid R. Farshchi, theksoi se këto gjetje sfidojnë besimin e përhapur se pijet dietike janë të padëmshme dhe tregojnë rëndësinë e ujit si një mjet i thjeshtë, por shumë efektiv për menaxhimin e diabetit dhe peshës trupore. /Gazeta Shneta/


