Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar masa të reja për të përballuar rënien e lindshmërisë në vend, mes tyre edhe mundësinë e vendosjes së një takse shtesë për personat që nuk janë të martuar.
Ky propozim vjen pasi në vitin 2024 lindjet ishin vetëm 16,061, ndërsa vdekjet arritën në 20,201, duke sjellë një ulje të popullsisë me mbi 4 mijë persona brenda një viti. Sipas Mickoskit, në katër vitet e fundit Maqedonia e Veriut ka humbur mbi 33 mijë banorë, ndërsa norma e lindjeve ka rënë nga 12,5% në vitin 2010 në 8,8% në vitin 2024.
Ai tha se tashmë në shumë zona nuk ka as klasa të para në shkolla për shkak të mungesës së fëmijëve. Mickoski theksoi se vendi duhet të krijojë institucione që mbështesin dhe ruajnë të rinjtë, duke e quajtur këtë sfidë një problem që nuk prek vetëm Maqedoninë e Veriut, por të gjithë Europën. /TiranaPost



