Një studim i ri sugjeron se një skanim i vetëm i trurit në moshën 45-vjeçare mund të ndihmojë në parashikimin e ritmit të plakjes dhe të rrezikut për sëmundje të lidhura me moshën, si demenca.
Studiues nga Universiteti i Duke, Harvard dhe Otago zhvilluan një metodë të quajtur ‘DunedinPACNI’, që bazohet në skanim me rezonancë magnetike (MRI) për të vlerësuar moshën biologjike të trurit dhe trupit.
Ndryshe nga mosha kronologjike, mosha biologjike tregon sa “i vjetër” është trupi dhe truri ynë në bazë të funksioneve dhe gjendjes së qelizave, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studimit, personat me ritëm më të shpejtë të plakjes kishin balancë më të dobët, ecje më të ngadaltë, forcë trupore të ulët, vështirësi njohëse dhe pamje fizike më të plakur.
Krahasuar me metoda të tjera si ora epigjenetike, ‘DunedinPACNI’ tregoi saktësi të ngjashme në parashikimin e ndryshimeve që lidhen me plakjen.
Për më tepër, ai lidhet me përkeqësime në sistemin kardiovaskular dhe atë të frymëmarrjes, duke sugjeruar se truri mund të jetë një tregues i vlefshëm për plakjen e përgjithshme të trupit.
Kjo metodë ofron një mënyrë të re, jo invazive dhe të arritshme për të identifikuar herët personat që mund të përfitojnë nga ndërhyrjet për një plakje më të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


