Një analizë e re ka treguar se dieta vegane me pak yndyrë mund të ulë ngarkesën acidike të shkaktuar nga ushqimi në organizëm, duke ndihmuar kështu në humbjen e peshës.
Ngarkesa dietike acidike lidhet me balancën acido-bazë në trup, dhe kur është e lartë, mund të ndikojë negativisht në funksionin e veshkave dhe peshën trupore, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit krahasuan efektet e dietës vegane me pak yndyrë dhe asaj mesdhetare te 62 të rritur me mbipeshë.
Çdo pjesëmarrës ndoqi njërën dietë për 16 javë, pastaj kaloi te dieta tjetër pas një pushimi 4-javor. Pjesëmarrësit regjistruan ushqimin e konsumuar, ndërsa studiuesit mblodhën të dhëna për aktivitetin fizik dhe përbërjen trupore.
Rezultatet treguan se dieta vegane uli ndjeshëm ngarkesën acidike dhe u shoqërua me rënie të peshës, kryesisht përmes reduktimit të yndyrës trupore.
Ndërkaq, dieta mesdhetare nuk solli ndryshime të ngarkesës acidike apo të peshës. Edhe pas korrigjimit për marrjen e energjisë, lidhja mes uljes së ngarkesës acidike dhe rënies në peshë mbeti e rëndësishme.
Sipas autores Hana Kahleova, produktet shtazore – si mishi, peshku, veza dhe djathi – rrisin aciditetin në trup, duke nxitur inflamacion kronik dhe shtim në peshë.
Ndërsa dietat me bazë bimore, më alkaline, lidhen me rënie në peshë, ndjeshmëri më të mirë ndaj insulinës dhe tension të ulët të gjakut.
Megjithatë, studiuesit theksojnë nevojën për kërkime të mëtejshme, për shkak të kufizimeve si numri i vogël i pjesëmarrësve dhe mbështetja në raportimet vetjake të ushqimit dhe aktivitetit fizik. /Gazeta Shneta/


