Shkencëtarët kanë zbuluar se virusi Epstein-Barr (EBV), një nga viruset më të përhapur në botë, lidhet me një rritje pesëfish të rrezikut për disa lloje kanceri. Ky virus, që përhapet lehtësisht përmes pështymës dhe lëngjeve të tjera trupore, zakonisht nuk shkakton simptoma, por mund të çojë në mononukleozë (“sëmundja e puthjes”).
EBV qëndron në trup përgjithmonë dhe dihet se lidhet me disa forma kanceri si limfomat dhe një formë e rrallë e kancerit të fytit. Megjithatë, të dhënat mbi rreziqet e tjera shëndetësore kanë qenë të kufizuara, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në një studim të publikuar në “Nature Communications”, studiuesit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e OBSH-së dhe qendra kërkimore në Kinë ndoqën gati 74,000 persona për 8 deri në 10 vjet, duke identifikuar 1,990 raste me kancer.
Ata testuan gjithashtu praninë e antitrupave ndaj EBV-së – shenjë se dikush ka kaluar infeksionin më parë.
Rezultatet treguan se personat me antitrupa ndaj EBV-së kishin pesëfish më shumë gjasa të zhvillonin kancer, veçanërisht kancer nazofaringeal (në pjesën e pasme të hundës dhe gojës), për të cilin rreziku ishte 26 herë më i lartë. Rreziku i rritur u vu re edhe për kancerin e mushkërive, mëlçisë dhe limfomat.
Edhe pse studimi kishte disa kufizime, si p.sh. përbërja demografike e pjesëmarrësve apo ndikimi i faktorëve të tjerë si duhanpirja, ekspertët thonë se gjetjet janë një hap i rëndësishëm për të kuptuar më mirë ndikimin e viruseve në zhvillimin e kancerit.
Sipas tyre, vetëdijësimi për rreziqet mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të kancereve të lidhura me këtë virus. /Gazeta Shneta/


