Kanceri i gjirit është forma e dytë më e zakonshme e kancerit tek gratë. Edhe pse nuk mund të parandalohet plotësisht, disa zakone të jetesës—si ushtrimet me pesha—mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut.
Dr. Elizabeth Comen, onkologe dhe hulumtuese në Fondacionin për Kërkime mbi Kancerin e Gjirit, thotë se zhvillimi i masës muskulore është thelbësor jo vetëm për parandalim, por edhe për pacientët që diagnostikohen me kancer, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Indi dhjamor i tepërt rrit rrezikun për kancerin e gjirit, edhe tek gratë me indeks normal të masës trupore (BMI).
Sipas studimeve, gratë me përqindje të lartë dhjami dhe pak aktivitet fizik mund të kenë rrezik të ngjashëm me ato që klasifikohen si obezë. Kjo lidhet me inflamacionin kronik dhe rritjen e nivelit të estrogjenit nga indi dhjamor.
Stërvitja me pesha mund të ndihmojë në aktivizimin e molekulave mbrojtëse ndaj kancerit, të rregullojë hormonet, të forcojë sistemin imunitar dhe të ruajë shëndetin e muskujve e kockave.
Studime të fundit tregojnë se fillimi i stërvitjes në moshë të re mund të shoqërohet me një ulje 52% të rrezikut për kancer gjiri.
Nuk nevojitet pajisje të kushtueshme për të filluar: mund të përdorni peshë dore, shishe me ujë ose trupin tuaj me ushtrime si pompa apo ulje-ngritje.
Ekspertët rekomandojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë. Megjithatë, stërvitja është vetëm një pjesë e strategjisë: ruajtja e peshës trupore dhe kufizimi i alkoolit gjithashtu ndihmojnë.
Megjithëse nuk mund të kontrollojmë faktorë si gjenetika apo mosha, aktiviteti fizik përmirëson trajtimin dhe ndikon pozitivisht në mbijetesë tek rastet me kancer. /Gazeta Shneta/


