Pas shumë vitesh debat, Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF) e ka njohur zyrtarisht diabetin e tipit 5 si një diagnozë të veçantë. Ky lloj diabeti lidhet me kequshqyerjen në fëmijëri dhe prek miliona adoleshentë dhe të rinj, kryesisht në Azi dhe Afrikë.
Sipas Dr. Meredith Hawkins nga ‘Global Diabetes Institute’, edhe fëmijët në kujdes shtetëror apo migrantët që kanë përjetuar mungesë ushqimi në SHBA mund të jenë në rrezik për këtë formë diabeti, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Si ndryshon tipi 5 nga format e tjera të diabetit?
Të gjitha format e diabetit ndikojnë në mënyrën se si trupi përpunon glukozën. Diabeti i tipit 1 shkaktohet nga shkatërrimi i qelizave që prodhojnë insulinë. Tipi 2 lidhet me rezistencën ndaj insulinës dhe shpesh me mbipeshën. Por diabeti i tipit 5 është pasojë e nënzhvillimit të pankreasit për shkak të kequshqyerjes, duke çuar në mungesë të insulinës.
Ky lloj diabeti shpesh është ngatërruar me tipin 1 ose 2, por personat e prekur zakonisht kanë nevojë për doza shumë të vogla të insulinës ose vetëm për barna orale. Doza të zakonshme të insulinës mund të jenë të rrezikshme për ta.
Lidhja mes humbjes së madhe në peshë dhe tipit 5
Edhe pse nuk ka një test specifik për ta diagnostikuar, tipi 5 mund të vërehet përmes historikut dhe gjendjes klinike të pacientit. Studimet sugjerojnë se edhe humbja ekstreme në peshë—si ajo nga operacionet bariatrike apo përdorimi i barnave GLP-1—mund të krijojë një tablo klinike të ngjashme.
Rënia e masës muskulare ndikon në përpunimin e glukozës, sepse muskujt janë indet kryesore që përgjigjen ndaj insulinës. Humbja e muskujve mund të shkaktojë rezistencë ndaj insulinës dhe rritje të nivelit të sheqerit në gjak.
Aktualisht jo e njohur nga ADA në SHBA
Shoqata Amerikane e Diabetit ende nuk e njeh zyrtarisht tipin 5, por ekspertët presin që kjo të ndryshojë së shpejti. Ndërkohë, mjekët këshillohen të kenë kujdes me pacientët që kanë kaluar kequshqyerje, humbje ekstreme peshe apo çrregullime të ngrënies, pasi mund të kenë nevojë për trajtim të veçantë. /Gazeta Shneta/


