Një studim i ri ka zbuluar se edhe sasi të vogla të mishrave të përpunuar, pijeve me sheqer dhe yndyrave trans lidhen me rritje të rrezikut për sëmundje serioze si diabeti i tipit 2, sëmundjet ishemike të zemrës dhe kanceri kolorektal.
Studiuesit analizuan të dhënat nga mbi 60 studime të mëparshme dhe gjetën se konsumi i përditshëm i një hotdogu shoqërohej me një rritje prej 11% të rrezikut për diabet të tipit 2 dhe 7% për kancer kolorektal, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Po ashtu, konsumimi i një pijeje të gazuar (rreth 390 gramë) në ditë rriste rrezikun e diabetit me 8% dhe të sëmundjeve të zemrës me 2%.
Studimi thekson se nuk ka nivel të sigurt për konsumimin e mishrave të përpunuar, si salami dhe proshuta, të cilët përmbajnë konservues si kripë, tymosje dhe tharje.
Yndyrat trans industriale, që gjenden në ëmbëlsira të përpunuara si donuts, biskota, ushqime të skuqura dhe patatina, gjithashtu lidhen me rrezik të rritur për sëmundje të zemrës.
Autori kryesor i studimit, Dr. Demewoz Haile, theksoi se analizat ishin konservatore, por lidhjet midis konsumit të këtyre ushqimeve dhe sëmundjeve mbeten të qëndrueshme.
Ekspertët rekomandojnë që konsumimi i mishrave të përpunuar, pijeve me sheqer dhe yndyrave trans të shmanget ose të kufizohet ndjeshëm për një shëndet më të mirë. /Gazeta Shneta/


