Edhe tentimi i 46-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, duke thelluar më tej ngërçin politik dhe institucional në vend.
Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka stagnuar te pika e zgjedhjes së kryetarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk është pranuar nga opozita e deritanishme.
Seanca e sotme, e cila filloi në orën 11:00, nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar komisionin zgjedhor të votimit të fshehtë.
Nga 82 deputetë të pranishëm vetëm 43 prej tyre votuan pro, abstenim dhe kundër nuk pati pasi që pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të martën më 15 korrik në ora 11:00.




