Rezultatet e humbjes së peshës me medikamente si Ozempic apo Wegovy mund të ndryshojnë nga personi në person.
Një studim i publikuar së fundmi në revistën “Diabetes, Obesity and Metabolism,” ndihmoi në identifikimin e disa faktorëve që ndikojnë në suksesin e humbjes së peshës te njerëzit që përdorin agonistët e receptorëve të peptidit-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1RAs), shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Këto medikamente, përfshirë semaglutidin, liraglutidin dhe të tjerët, përdoren zakonisht për diabetin tip 2 dhe obezitetin.
Studimi përfshiu 679 persona me mbipeshë ose obezitet, disa prej tyre me diabet. Të gjithë kishin të paktën tre muaj ndjekje dhe tre matje të peshës gjatë kësaj periudhe.
Rezultatet treguan se përdorimi më i gjatë i GLP-1RAs, veçanërisht fillimi me semaglutide, ishte i lidhur me humbje më të suksesshme në peshë. Personat pa diabet kishin gjithashtu më shumë gjasa të humbnin peshë krahasuar me ata me diabet.
Humbja e suksesshme në peshë lidhej edhe me faktorë si nivele më të ulëta të sheqerit në gjak, përqindje më të lartë të yndyrës trupore, funksion më të mirë të pankreasit dhe rezistencë më të ulët ndaj insulinës. Për gratë, masa më e ulët e muskujve skeletorë rezultoi e lidhur me humbje më të madhe të peshës.
Për meshkujt që përdornin semaglutide, një përqindje më e lartë e yndyrës trupore ishte po ashtu e lidhur me sukses në humbjen e peshës pas gjashtë muajsh.
Këto të dhëna ndihmojnë në kuptimin më të thellë se pse disa persona arrijnë rezultate më të mira në humbjen e peshës me këto barna. /Gazeta Shneta/


