Në vitin 2024, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi një test gjaku për të zbuluar kancerin kolorektal tek personat mbi 45 vjeç me rrezik mesatar. Ky test, i quajtur Shield dhe i prodhuar nga kompania Guardant Health, ofron një alternativë më të përshtatshme për ata që shmangin kolonoskopinë apo testet e jashtëqitjes për shkak të shqetësimeve.
Një studim i udhëhequr nga Dr. William Grady tregoi se Shield ishte në gjendje të identifikonte saktë 83% të rasteve me kancer kolorektal, me një saktësi negative prej 90%. Paneli këshillues i FDA-së e konsideroi testin të sigurt dhe efektiv, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Testi funksionon duke identifikuar ADN të qarkullueshme të tumorit (ctDNA) në gjak – fragmente që vijnë nga qelizat kancerogjene dhe që përmbajnë mutacione unike që mungojnë në indet e shëndetshme.
Përveç Shield, ekzistojnë edhe teste të tjera si ‘ColoHealth’ dhe ‘Galleri’, megjithëse ky i fundit ende nuk është miratuar nga FDA.
Përkundër avantazheve të saj, analiza e gjakut ka kufizime. Në rreth 10% të pjesëmarrësve, testi dha rezultate false pozitive.
Gjithashtu, ndonëse është i krahasueshëm me testet e jashtëqitjes, koloskopia mbetet standardi i artë. Ajo jo vetëm që identifikon, por edhe heq polipet apo tumoret potencialisht kancerogjene.
Nëse testi i gjakut rezulton pozitiv, një kolonoskopi është gjithsesi e nevojshme për vlerësim të mëtejshëm.
Zbulimi i hershëm mund të parandalojë mbi 90% të vdekjeve nga kanceri kolorektal, ndaj opsione si ky test mund të ndihmojnë në rritjen e pjesëmarrjes në programe të rregullta kontrolli. /Gazeta Shneta/


